Politikë

Berisha u kërkon votën shqiptarëve: Ne do u kthejmë paratë e vjedhura në 12 vjet. Rama do mandat tjetër për tu pasuruar, sarajet i ka sa dyfishi i vilës së Enver Hoxhës

Në takimin me demokratët e degës nr.2 në Tiranë, kreu i opozitës Sali Berisha u shpreh se aspekti i dytë dramatik i këtij drejtimi është varfërimi i madh dhe i vazhdueshëm i qytetarëve shqiptarë.
“Ky varfërim ka për tregues të qartë pensionet dhe rrogat lrejtësisht të papërshtatshme për çmimet e tregut dhe për një jetë normale.

Sot, një pensionist me pensionin e tij mesatar merr 165-170 euro, krejtësisht të pamjaftueshme për përballimin e jetës. Të mos diskutojmë për ata që marrin pensionin minimal 120 euro. Por këta që marrin pensione të plota, këta janë pakica. 57% e pensionistëve marrin pensione të pjesshme.

E gjithë kjo situatë ka vetëm një faktor dhe ky faktor është korrupsioni, vjedhja, shpërdorimi, përvetësimi i parave të taksve tuaja nga qeveritarët.
Është një vjedhje e tillë, saqë tejkalon çdo imagjinatë”, tha Berisha.

Kreu i PD Sali Berisha teksa përmendi disa arritje të PD në rrugën e integrimit të vendit në BE, akuzoi kryeministrin Rama se ka vepruar kundër këtyre arritjeve.

Berisha ironizoi kauzën elektorale të PS që është Pasaporta evropiane, duke i kujtuar Ramës se qëndroi në pushtet 20 vjet dhe nuk ka regjistruar një akt të vetëm madhor në procesin e integrimit.
“PD anëtarësoi Shqipërinë në këshillin e Evropës, këta thërrisnin se molla nuk është pjekur.

LEXO EDHE: PD ankohet sërish në KQZ për Bashën: Përdor faqet tona në Facebook e Instagram, u ka ndryshuar dhe emrin

PD anëtarësoi Shqipërinë në NATO, Edi Rama protestonte me portretet e Enver hoxhës ditën që u anëtarësua në NATO.
Komisioni Evropian propozoi Shqipërinë për statusin e kandidatit, ai bllokonte 3 ligjet ne parlament për këshilltarët e Fierit.

Parlamenti Evropian miratoi heqjen e vizave për shqiptarët, ai dërgonte emaile se 800 mijë shqiptarë do u dynden në Bruksel. Pse po i them këto. Se nëse ka një parti që ka ADN e integrimit, kjo është Partia Demokratike”, tha Berisha.

Kryetari i PD, Sali Berisha, i ka bërë thirrje shqiptarëve të votojnë PD në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pasi do tu kthehen paratë e vjedhura në 12 vjet qeverisje nga PS.
Berisha akuzoi Ramën se po kërkon një mandat tjetër për tu pasuruar ndërsa ka ndërtuar sarajet sa dyfishi i vilës së Enver Hoxhës.
“Edi Rama pas 12 vitesh kërkon një madat tjetër, kërkon që të pasurohet më shumë vet, të pasurojë sojin e vet më shumë, të pasurojë oligarkët e tij më shumë dhe t’ju varfërojë ju”.

“Nuk ka asnjë moral të vijë t’u kërkojë shqiptarëve votën. Për çfarë do u kërkojë votën ai? Se i pagun pensionistët, sa i paguan Gjermania kafshët e shtëpisë, qenin dhe macen? Absolutisht! Për çfarë do e kërkojë votën ai?”, tha Berisha.

Më tej, ai u shpreh se PS po kërkon votën e shqiptarëve duke u vjedhur atyre para përmes inceneratorit të Tiranës.
“Të kërkojë votën për shishet e verës që hap 33 mijë euro? Të kërkojë votën për udhëtimet e tij me avion, 21 milionë euro në 2 vjet, 140 udhëtime. Presidenti i amerikës ka 74 udhëtime.
Të kërkojë votën, për çfarë e kërkon votën tuaj ai? Për të grabitur me 50 milionë euro, siç grabiti me tunelin e Llogarasë?

Për të bërë të fortin dhe gangsterin, për të përzenë sipërmarrësit që pastaj gjobiteni ju me qindra e dhjetëra miliona euro, paguani me taksa tuaja siç ndodhi me Beketin.
Për çfarë të kërkojë votën?
Të kërkojë votën se, sot të sëmurët tanë në spitale nuk vdesin nga sëmundjet por vdesin nga mosdhënia e ilaçeve?
Të kërkojë votën se, deklaron që janë bërë krime kundër njerëzimit dhe vazhdon të nesërmen, mjeku i merr në tëlefon dhe u thotë: mos hajde se nuk ka ilaçe?!

Ndaj dhe, është e rëndësishme shumë mi, të uleni me çdo qytetar shqiptar, të uleni me çdo mik, me çdo të njohurin tuaj, me çdo mik që është i dëshpëruar, me çdo njeri që ka mosbesim ndaj nesh, me çdo njeri që thotë se unë nuk votoj. Me të gjithë këta duhet të uleni, dhe të bëni një analizë së bashku me ta”, tha Berisha.