Gjykata Kushtetuese kaloi për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe kryeministre, me vendim të Gjykatës së Posaçme, GJKKO. Treshja e gjyqtarëve vendosi kalimin në seancë plenare, ndërkohë që janë mbledhur për të marrë një vendimmarrje mbi kërkesën paraprake të qeverisë, për pezullimin e vendimit të GJKKO-së për Ballukun, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja.
Vetë Balluku ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së që i caktoi dy masa sigurie, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit. Ndërkaq është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 milion euro të Tunelit të Llogarasë, si edhe është nën hetim po për shkelje, me tenderin 20 milion euro për lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Përveç Ballukut, masën e sigurisë e ankimoi në Apelin e Posaçëm edhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO-ja ka caktuar “Arrest në shtëpi”. I akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, masa iu caktua për dy tenderët me vlerë 210 milion euro. Elezi ka qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH në kohën e tenderit të Llogarasë, si dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për të Unazës së Madhe.
Ndërkohë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me marrjen si të pandehur nga drejtësia të Belinda Ballukut. Në kërkesën e firmosur nga kryetari Gazment Bardhi, thuhet se “Kryeministri po vepron si “avokat” i Ballukut, duke paraqitur pretendime në emër të Kuvendit të Shqipërisë pa marrë asnjëherë një mandat apo qëndrim nga vetë Kuvendi”. Ankesën e Ramës në Gjykatën Kushtetuese, opozita e cilëson “të paprecedentë”.
Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Në një sjellje normale, në një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri duhej të kishte propozuar menjëherë shkarkimin nga detyra të një ministri që është marrë i pandehur për abuzime në disa procedura prokurimi publik, me vlerë miliona euro, dhe kurrsesi nuk mund të sillet si zyrë avokatie për një të pandehur.
Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë. Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike; më saktë është mjet presioni/mesazhi politik dhe nuk synon zgjidhje juridike.
Ne, deputetët e opozitës, vlerësojmë se kërkesa e Kryeministrit Edi Rama, që synon vetëm të japë mesazhin për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik dhe antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, e cila është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm e të papenguar nga organet hetimore.